Projekti MORIN: Qasje novatore për njohjen e shkëmbimeve studentore në Ballkanin Perëndimor

Projekti “MORIN (Mobility Recognition for Integration – Njohja e Mobilitetit për Integrim)”, 2023-2025, i financuar nga Komisioni Evropian, është një projekt “Erasmus+”, aksioni 2, për rritje kapacitetesh, i cili synon përmirësimin e shkëmbimeve akademike për studim, apo siç quhen shpesh mobilitete studentore, përmes njohjes së kredive akademike në institucionet e arsimit të lartë (IAL) në Ballkanin Perëndimor. Për të arritur këtë synim, projekti vë në qendër rezultatet e të nxënit për krijimin e kurrikulave transparente, fleksible dhe të orientuara drejt aftësive, për të lidhur më mirë arsimin me punësimin dhe për të sjellë një integrim më të mirë rajonal.

Duke bërë bashkë IAL nga katër vende të Ballkanit Perëndimor (BP6)– Shqipëri, Kosovë, Serbi dhe Maqedoni e Veriut – në një konsorcium që përfshin edhe partnerë nga Republika Çeke, MORIN-i adreson prioritetin rajonal të integrimit të emigrantëve përmes adoptimit të njohjes bazuar në rezultatet e të nxënit. Kjo qasje siguron krahasueshmëri dhe transparencë në kreditet akademike, duke lehtësuar shkëmbimet studentore, njohjen akademike, si dhe duke rritur punësimin brenda rajonit.

Çelësi i suksesit të projektit është theksi në rishikimin e përmbajtjes së kurseve, metodave të mësimdhënies dhe vlerësimit për t’u përqendruar te aftësitë dhe rezultatet e të nxënit të studentëve, duke përfshirë një përmasë ndërkombëtare në kurrikul, e cila synon përgatitjen e studentëve për një treg pune më global. Kjo qasje pedagogjike novatore lidh arsimin më ngushtë me aftësitë reale dhe punësimin brenda rajonit, por jo vetëm. Pikërisht, bashkëpunimi ndërmjet IAL-ve të BP6 forcon lidhjet akademike rajonale dhe mbështet lëvizjen profesionale të të rinjve.

IAL-të në të gjithë Ballkanin Perëndimor tani mund të kenë akses në burime dhe dokumente të krijuara përmes projektit MORIN, të hartuara për të thjeshtuar njohjen akademike dhe për të rritur mobilitetin studentor në rajon. Disa arritje kryesore të shfrytëzueshme përfshijnë:

  • “Instrumet vetëvlerësimi për njohen akademike të periudhave të mobilitetit”: Ky mjet praktik i ndihmon IAL-të të realizojnë vëzhgime periodike të proceseve të brendshme të njohjes akademike, duke vlerësuar praktikat e tyre aktuale të njohjes së mobilitetit, duke identifikuar mangësitë, si dhe duke monitoruar përparimin. Ky proces vetëvlerësimi i ndihmon IAL-të të përshtatin programet e tyre me standardet ndërkombëtare, duke lehtësuar transferimin e krediteve dhe njohjen e periudhave të studimit jashtë vendit. IAL-të mund ta përdorin këtë mjet periodikisht për të ruajtur cilësinë dhe për të përmirësuar procedurat e njohjes brenda njësive bazë dhe kryesore të tyre.
  • “Udhëzues për njohjen akademike bazuar në rezultatet e nxënies”: Ky dokument përmban udhëzime standardizuese për një qasje të qartë dhe të strukturuar për njohjen e mobilitetit studentor bazuar në rezultatet e të nxënit. IAL-të mund t’i adoptojnë dhe përshtatin këto udhëzime për të harmonizuar dhe thjeshtuar proceset e njohjes së krediteve, duke përmirësuar transparencën dhe krahasueshmërinë ndërmjet institucioneve. Për më tepër, ky udhëzues është i pasuruar me një manual shoqërues praktik, i cili përmban shembuj konkretë me formulime rezultatesh të të nxënit për kurse në disa nga disiplinat kryesore që ofrohen nga IAL-të.
  • “Arkivi i Mobilitetit”: Një arkiv i centralizuar që përmban dokumente dhe të dhëna lidhur me mobilitetin studentor, i cili ndihmon institucionet të menaxhojnë dhe ndjekin aktivitetet e mobilitetit në mënyrë efikase. Ky burim promovon praktikat më të mira ndërmjet IAL-ve partnere.
  • Webinar-e:  Një seri aktivitetesh trajnimi për stafin akademik dhe ndihmësakademik për t’i pajisur me njohuri dhe aftësi për të zbatuar njohjen akademike bazuar në rezultatet e të nxënit, të aksesueshme në YouTube dhe faqen zyrtare të projektit. IAL-të mund të vazhdojnë të zhvillojnë trajnime të tilla për të ruajtur dhe zgjeruar ekspertizën në njohjen e mobilitetit.

IAL-të mund të shfrytëzojnë arritjet e MORIN-it duke adoptuar udhëzimet dhe burimet për njohjen akademike, duke përditësuar kurrikulën me rezultatet e rishikuara të të nxënit, duke vijuar të rrisin kapacitet, si dhe duke marrë pjesë aktivisht në rrjetin rajonal. Këto rezultate krijojnë një themel të fortë për të përmirësuar mobilitetin akademik, rritur punësimin e studentëve dhe promovuar praktika të qëndrueshme ndërkombëtare në Ballkanin Perëndimor. MORIN-i ka forcuar bashkëpunimin mes IAL-ve të BP6 dhe partnerëve nga BE-ja. Institucionet mund të shfrytëzojnë këtë rrjet për të zhvilluar programe të përbashkëta, shkëmbime stafi dhe korniza të harmonizuara njohjeje, duke përmirësuar integrimin akademik rajonal.

Për më shumë, mund të konsultoni faqen zyrtare të projektit: https://morinproject-eu.com/

Leave a reply

POEC është një organizatë jofitimprurëse që kontribuon në ndërtimin e një shoqërie që përqafon vlerat e solidaritetit, barazisë dhe respektit reciprok midis njerëzve dhe brezave.

Kontakt

Rruga Qemal Stafa, Tiranë 1001

Support

Me një grup punonjësish dhe vullnetarësh entuziastë, jemi gati të sjellim ndryshime pozitive, duke ofruar mbështetje konkrete për ata që kanë më shumë nevojë dhe duke promovuar një shoqëri më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse.