POEC propozon plotësime në Kodin Penal për mbrojtjen e sigurisë online

Në dekadën e fundit, ngacmimet online dhe përndjekja digjitale janë kthyer në një kërcënim të përhapur për mirëqenien e fëmijëve dhe të rinjve edhe në Shqipëri. Me përdorimin masiv të rrjeteve sociale dhe aksesin gjithnjë e më të hershëm në pajisje digjitale, ekspozimi ndaj rreziqeve online është bërë pjesë e përditshmërisë. Në nivel evropian, sipas EU Kids Online, 1 në 10 fëmijë raporton se ngacmohet çdo muaj në internet, ndërsa një pjesë po aq e madhe deklaron se nuk ndihet e sigurt gjatë përdorimit të tij. Alarmin më të madh e ngre grupmosha 9– 10 vjeç, ku përqindja e përvojave negative u rrit me 29% brenda pak vitesh. Në rritje është edhe dukuria e ndarjes së imazheve seksuale mes adoleshentëve, e cila shpesh perceptohet si një formë e “padëmshme” brenda rrethit të besuar, por që në realitet mund të shndërrohet në një situatë abuzimi dhe kërcënimi. Europol-i thekson se, në shumë raste, prodhimi i përmbajtjes sëvetëgjeneruar është rezultat i sextortion-it, ku individë me identitete të rreme i afrohen të miturve në platformat digjitale dhe i detyrojnë t’u dërgojnë materiale qartazi, duke i kërcënuar për publikimin e tyre. Gjithashtu, në 20 vitet e fundit, është rritur në mënyrë alarmante vëllimi i materialeve të abuzimit seksual të fëmijëve në internet (CSAM), si pasojë e zhvillimeve teknologjike dhe rritjes së aksesit online. Paralele me këtë është dhe dukuria e grooming, ku të miturit manipulohen për të krijuar dhe shpërndarë materiale seksuale shpesh në transmetim të drejtpërdrejtë (livestreaming). Kjo dukuri po bëhet gjithnjë e më e rëndë, duke përfshirë fëmijë gjithnjë e më të vegjël.

Mbrojtja e fëmijëve dhe të rinjve nga bullizmi dhe ngacmimi online është një prioritet i qartë në politikat dhe instrumentet ndërkombëtare dhe evropiane. Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës (UNCRC, 1989), Neni 19 i kërkon shteteve të mbrojnë fëmijët nga çdo formë dhune, përfshirë shfrytëzimin, abuzimin seksual, neglizhencën, ekspozimin ndaj aksidenteve apo imazhet e dhunshme/dhunës. Edhe pse bullizmi dhe bullizmi kinerbetik nuk përmenden shprehimisht në Konventë, ato cekin disa nga nenet e saj, duke përbërë forma të dhunës që pengojnë zhvillimin, pjesëmarrjen në shoqëri dhe jetesën me dinjitet të fëmijëve. Në vitin 2011, Komiteti i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës3 publikoi Komentin e Përgjithshëm Nr. 13 mbi nenin 19 të Konventës për të theksuar urgjencën dhe shkallën alarmante të dhunës që ushtrohet mbi fëmijët. Komiteti nënvizoi se dhuna duhet të kuptohet në kuptimin e saj të gjerë, duke përfshirë edhe dhunën psikologjike. Ky dokument i rëndësishëm theksoi detyrimin e shteteve për të përmbushur angazhimet e tyre për mbrojtjen e fëmijëve dhe për të siguruar një kornizë të koordinuar ndërinstitucionale për parandalimin e dhunës. Midis formave të dhunës, Komiteti përfshiu edhe bullizmin psikologjik dhe “hazing”-un, si nga të rriturit ashtu edhe nga bashkëmoshatarët, përfshirë format që realizohen përmes teknologjive të informacionit si telefonat celularë dhe interneti të njohura si bullizmi kibernetik.

Strategjia e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Fëmijës 2022–20274 thekson domosdoshmërinë që shtetet anëtare të forcojnë legjislacionin kombëtar për të mbrojtur fëmijët nga format e dhunës digjitale, përfshirë grooming-un, dhunën seksuale dhe mes bashkëmoshatarëve, seksizmin kibernetik, përmbajtjet pornografike dhe të dëmshme, bullizmin kibernetik dhe gjuhën e urrejtjes online. Në të njëjtën linjë, Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës publikoi në vitin 2018 udhëzimet (CM/Rec(2018)7) për të ndihmuar shtetet në sigurimin e të drejtave të fëmijëve në mjedisin digjital, duke përfshirë zhvillimin e politikave kombëtare të përshtatura me përparimet teknologjike. Në vitin 2023, Komisioni Evropian publikoi një Komunikim mbi një qasje gjithëpërfshirëse ndaj shëndetit mendor, që shënoi një ndryshim strategjik në mënyrën se si trajtohet mirëqenia mendore në BE. Dokumenti e vendos theksin veçanërisht te fëmijët dhe të rinjtë, duke njohur ndikimet e mundshme negative që mund të ketë digjitalizimi mbi shëndetin e tyre mendor.

Ndërkohë, një sërë strategjish të tjera janë zhvilluar për të mbrojtur fëmijët në mjedisin online. Strategjia “BIK+” për një internet më të sigurt për fëmijët (maj 2022), pjesë e Strategjisë së BE- së për të Drejtat e Fëmijëve (2021), fokusohet në mbrojtjen nga përmbajtjet e dëmshme, fuqizimin për përdorim të sigurt të teknologjisë, dhe përfshirjen e zërit të fëmijëve në ndërtimin e hapësirave digjitale të sigurta. Kjo strategji shoqërohet nga Plani i Veprimit për Edukimin Digjital 2021–2027, i cili synon të zhvillojë kompetencat digjitale për të gjithë nxënësit dhe të mbrojë mirëqenien e tyre përmes ndërgjegjësimit për rreziqet online si bullizmi kibernetik, përmbajtjet shqetësuese dhe ngacmimet. Të gjitha këto iniciativa konvergojnë drejt krijimit të një mjedisi digjital gjithëpërfshirës dhe të sigurt për fëmijët në të gjithë Bashkimin Evropian.

Për të përballuar sfidat dhe përfitimet e digjitalizimit, Komisioni Evropian nisi Planin e Veprimit për Edukimin Digjital 2021–2027 në fund të vitit 2020. Strategjia njeh rreziqet e shoqërisë gjithnjë e më digjitale, ku të rinjtë përballen me bullizëm kibernetik, ngacmime dhe përmbajtje të dëmshme online. Plani synon zhvillimin e kompetencave digjitale për të gjithë nxënësit dhe promovon përdorimin e përgjegjshëm dhe etik të teknologjisë. Në nëntor 2022, Këshilli i Ministrave të Arsimit, Rinisë, Kulturës dhe Sportit miratoi konkluzione për të mbështetur mirëqenien në arsimin digjital.

Parlamenti Evropian ka treguar angazhim të vazhdueshëm për të adresuar bullizmin dhe ngacmimet kibernetike, duke i trajtuar këto çështje në kontekstin e Konventës për të Drejtat e Fëmijëve, Aktit për Shërbimet Digjitale, edukimit digjital dhe mbrojtjes së konsumatorit. Në maj 2023, eurodeputetët diskutuan me Komisionerin për Drejtësinë, duke theksuar nevojën për një iniciativë në nivel të BE-së që të ndalojë ligjërisht online atë që është tashmë e paligjshme offline. Në rezolutat e vitit 2021 dhe 2023, Parlamenti ka theksuar ndikimin negativ të përmbajtjeve të rrezikshme online, si abuzimi seksual ndaj fëmijëve, urrejtja digjitale, bullizmi kibernetik dhe dezinformimi, në shëndetin mendor dhe fizik të të rinjve. Ai ka kërkuar hartimin e një strategjie evropiane kundër bullizmit dhe bullizmit kibernetik në shkolla, si dhe një plan veprimi për ofruesit e shërbimeve online dhe kompanitë teknologjike për të mbrojtur fëmijët në hapësirën digjitale. Rezolutat e viteve 2022 dhe 2023 kanë theksuar gjithashtu nevojën për të përfshirë luftën kundër gjuhës së urrejtjes dhe dhunës digjitale në Strategjinë Evropiane për Shëndetin Mendor dhe për të mbështetur mirëqenien e të rinjve përballë këtyre rreziqeve.

Irlanda – Një nga vendet më proaktive në luftën kundër ngacmimeve online

Irlanda ka miratuar një nga ligjet më përparimtare në Evropë kundër ngacmimeve dhe komunikimeve të dëmshme në internet, të njohur si “Coco’s Law” – Harassment, Harmful Communications and Related Offences Act 2020.

Ai parashikon dy vepra penale kryesore:

  1. Publikimi apo shpërndarja e imazheve intime pa pëlqim (revenge porn) është një vepër e qartë penale.
  2. Ngacmimi online, përmes dërgimit të mesazheve kërcënuese apo shumë fyese, me qëllim shkaktimin e dëmit, dënohet edhe kur ndodh vetëm një herë, pa qenë e nevojshme që të jetë e përsëritur.

Franca

Sipas administratës franceze, ngacmimi përmes internetit, i njohur si cyberstalking, përbën një vepër penale të dënueshme me gjobë dhe/ose burgim deri në 10 vjet. Dënimet janë më të rënda nëse viktima është nën moshën 15 vjeç. Shpeshtësia e komenteve dhe përmbajtja e tyre fyese, e pahijshme apo kërcënuese përbëjnë elemente të ngacmimit. Ngacmimi në internet dënohet si në rastet kur komunikimet janë publike, ashtu edhe kur janë private. Gjatë vendosjes së dënimit, merren parasysh rrethana të ndryshme, përfshirë, por jo vetëm, rastet kur ngacmimi ushtrohet ndaj një të mituri nën 15 vjeç apo kur një i mitur ndodhet i pranishëm dhe është i përfshirë.

Austria

Austria ka vendosur një kuadër ligjor të avancuar për të luftuar urrejtjen dhe ngacmimin online. Që prej janarit të vitit 2016, neni 107c i Kodit Penal10 e klasifikon si vepër penale ngacmimin e vazhdueshëm përmes telekomunikimeve ose sistemeve kompjuterike. Në vitin 2021, hyri në fuqi një paketë e re ligjore kundër urrejtjes online, e cila solli masa konkrete për mbrojtjen e viktimave dhe lehtësimin e veprimeve ligjore kundër përmbajtjeve fyese në internet.

Legjislacioni i ri zgjeron të drejtat civile dhe ato që burojnë nga ligji për median, duke krijuar një procedurë të posaçme që i lejon viktimat të kërkojnë me shpejtësi heqjen e përmbajtjeve që cënojnë rëndë të drejtat individuale dhe dinjitetin njerëzor. Kjo procedurë zbatohet edhe për ndalimin e dërgimit të përmbajtjeve të tilla në aplikacione mesazhesh, dhe vendimet mund të merren nga gjykata pa seanca paraprake. Ndryshe nga praktika e mëparshme, ku krimet si shpifja ndiqeshin vetëm me kallëzim privat nga vetë viktimat, tashmë autoritetet mund të nisin hetimet me kërkesë në gjykatën rajonale. Viktimat përfitojnë gjithashtu ndihmë të shtuar psikologjike dhe ligjore gjatë procesit penal, ndërkohë që nuk kanë më detyrim të mbulojnë kostot e procedurës nëse çështja pushohet ose autori shpallet i pafajshëm.

Ndryshimet përfshijnë gjithashtu rregullime të rëndësishme në Kodin Penal dhe në ligjin për median: një veprim i vetëm ofendues mjafton për të ndërhyrë ligjërisht, përkufizimi i nxitjes së urrejtjes edhe ndaj individëve është zgjeruar, dhe gjobat për platformat e komunikimit që nuk përmbushin detyrimet për heqjen e përmbajtjeve fyese janë rritur ndjeshëm, të cilat duhet të fshihen brenda 24 orëve deri në 7 ditë, në varësi të rastit. Këto platforma duhet të caktojnë një përfaqësues të autorizuar si pikë kontakti për autoritetet austriake, ndërsa në rast të shkeljeve të përsëritura, gjobat mund të arrijnë deri në 10 milionë euro.

Sllovakia

Në Sllovaki, Kodi Penal është ndryshuar më 27 maj 202111 për të përfshirë në mënyrë të qartë bullizmin kibernetik, duke e kategorizuar si një formë të ngacmimit elektronik të rrezikshëm nën nenin § 360b.

Ligji përkufizon bullizmin kibernetik si çdo akt të kryer përmes mjeteve të komunikimit elektronik, që ndikon ndjeshëm në cilësinë e jetës së një personi. Këto akte përfshijnë: dërgimin e mesazheve fyese ose kërcënuese, publikimin pa leje të imazheve apo videove personale, hapjen e faqeve apo blogjeve që shpifin ndaj viktimës, dhe çdo veprim tjetër që synon poshtërimin, frikësimin apo dëmtimin e reputacionit të një individi.

Ligji parashikon masa të ashpra ndëshkuese për autorët e këtyre veprave. Nëse veprat kryhen ndaj një personi të mbrojtur, si për shembull fëmijë ose për arsye të caktuara të dëmshme, dënimi mund të shkojë nga një deri në katër vjet burgim. Në rastet kur veprat kryhen me qëllim përfitimi, shkaktojnë dëm të konsiderueshëm, ose autori ka qenë i dënuar më parë për të njëjtin veprim, dënimi mund të arrijë deri në gjashtë vjet heqje lirie.

Spanja, përmes ndryshimeve të vitit 2015 në Kodin Penal, përfshin vepra të ngacmimit serioz. Ligji organik 8/2021 ofron mbrojtje gjithëpërfshirëse për fëmijët dhe adoleshentët ndaj dhunës, përfshirë atë digjitale..

Belgjika ka si masa ligjore ashtu edhe jolegjislative për të trajtuar bullizmin kibernetik. Kodi Penal përfshin ndalime për përndjekje, shpifje dhe ngacmim. Më i rëndësishmi është neni për përndjekjen, që mbulon shumicën e formave të bullizmit kibernetik. Viktimat mund të mbështeten edhe në Ligjin për Komunikimet Elektronike (neni 145, §3bis).

Kroacia, edhe pse nuk ka dispozitë të veçantë, Kodi Penal përfshin vepra që përfshijnë dimensionin kibernetik si rrethana rënduese, si ndarja pa leje e përmbajtjeve intime (neni 144a) apo shpifja përmes rrjeteve (neni 149).

REKOMANDIME

Bazuar në analizën krahasimore të legjislacionit të vendeve të Bashkimit Evropian, dokumentet ndërkombëtare për të drejtat e fëmijëve dhe draftin aktual të Kodit Penal të Shqipërisë, lind nevoja për të adresuar me urgjencë mangësitë ekzistuese në lidhje me format e reja të dhunës që vijnë si pasojë e zhvillimeve digjitale. Rekomandimet e mëposhtme synojnë të përmirësojnë qasjen ligjore të Shqipërisë në raport me fenomenin gjithnjë e më të përhapur të cyberbulizmit dhe dhunës online, veçanërisht ndaj fëmijëve dhe të rinjve:

a)  Parashikimi i rrethanave rënduese për viktimat e mitura

Në nenin 838 të draftit (Ndërhyrje të padrejta në jetën private), vetëm në pikën 3 parashikohet një rrethanë rënduese kur vepra kryhet ndaj të miturit. Megjithatë, në nenet që lidhen drejtpërdrejt me përndjekjen dhe ngacmimin online (nenet 840 dhe 841), mungon theksimi i ekspozimit të shtuar të të miturve dhe rrethanat që lidhen me moshën, nivelin e zhvillimit psikologjik apo mungesën e kapaciteteve për t’u mbrojtur.

b)  Heqja e kërkesës për përsëritje të veprës për ta konsideruar atë të dënueshme

Një nga mangësitë më të dukshme të draftit të ri të Kodit Penal të Shqipërisë është fakti që në disa nene, si në rastin e nenit 265 (Ngacmimi kibernetik) nenit 840 (Përndjekja online) dhe nenit 841 (Ngacmimet online), është përdorur formulimi “në mënyrë të përsëritur ose të vazhdueshme” për të cilësuar një akt si vepër penale. Ky kriter është problematik, pasi shpesh një akt i vetëm online, si publikimi i një videoje denigruese ose shpërndarja e të dhënave personale, mund të ketë pasoja të rënda psikologjike dhe sociale për viktimën, veçanërisht në rastet kur ky akt bëhet viral dhe i pakontrollueshëm. Kërkesa për përsëritje minimizon rrezikun real që përjeton viktima nga një incident i vetëm, gjë që bie ndesh me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe me përvojat e vendeve të BE-së, ku edhe një veprim i vetëm i rëndë është i mjaftueshëm për ndjekje penale.

Rekomandojme që Shqipëria të heqë kushtin për përsëritjen e sjelljeve si kriter për të konsideruar një akt si përndjekje apo ngacmim online, dhe të mbështetet në pasojat konkrete që i shkaktohen viktimës. Në këtë mënyrë, ligji do të jetë më gjithëpërfshirës, më efektiv dhe më në përputhje me realitetin e dëmit që sjell një incident i vetëm digjital në mjedisin aktual ku informacioni shpërndahet me shpejtësi dhe në mënyrë të pakontrolluar.

POEC është një organizatë jofitimprurëse që kontribuon në ndërtimin e një shoqërie që përqafon vlerat e solidaritetit, barazisë dhe respektit reciprok midis njerëzve dhe brezave.

Kontakt

Rruga Qemal Stafa, Tiranë 1001

Support

Me një grup punonjësish dhe vullnetarësh entuziastë, jemi gati të sjellim ndryshime pozitive, duke ofruar mbështetje konkrete për ata që kanë më shumë nevojë dhe duke promovuar një shoqëri më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse.