POEC dhe Bashkia Bulqizë nënshkruajnë MoU për migracionin e sigurt të të rinjve

Qendra Pathways to Opportunity and Equality Center (POEC) dhe Bashkia Bulqizë kanë formalizuar bashkëpunimin e tyre përmes nënshkrimit të një Marrëveshjeje Bashkëpunimi, me qëllim zhvillimin e aktiviteteve informuese, edukative dhe ndërgjegjësuese për të rinjtë e territorit.

Marrëveshja synon të forcojë bashkëpunimin institucional në promovimin e migracionit të sigurt, parandalimin e migracionit të parregullt, fuqizimin rinor dhe informimin mbi mundësitë lokale për zhvillim social dhe ekonomik. Një fokus i veçantë do t’u kushtohet të rinjve të Bashkisë Bulqizë përmes aktiviteteve që do të zhvillohen në shkolla, qendra rinore, komunitete dhe në kuadër të Këshillit Rinor Vendor.

Në bazë të marrëveshjes, POEC do të ofrojë ekspertizë, materiale informuese dhe mbështetje teknike për organizimin e sesioneve edukative dhe aktiviteteve komunitare që lidhen me migracionin, mundësitë lokale të zhvillimit, sipërmarrjen, aftësimin profesional dhe përfshirjen aktive të të rinjve në jetën qytetare. Gjithashtu, organizata do të kontribuojë në promovimin e aktiviteteve dhe identifikimin e mundësive të reja për projekte të përbashkëta në fushën e rinisë dhe migracionit.

Nga ana tjetër, Bashkia Bulqizë angazhohet të integrojë temat e migracionit të sigurt dhe fuqizimit rinor në aktivitetet e saj, të mbështesë organizimin logjistik të aktiviteteve, të promovojë iniciativat e përbashkëta dhe të nxisë pjesëmarrjen aktive të të rinjve në proceset komunitare dhe zhvillimore.

Një nga objektivat kryesore të këtij bashkëpunimi është rritja e ndërgjegjësimit të të rinjve mbi sfidat dhe pasojat e migracionit të parregullt, duke promovuar njëkohësisht alternativat dhe mundësitë që ofron territori i Bulqizës në fusha si arsimi, formimi profesional, sipërmarrja dhe punësimi. Marrëveshja synon gjithashtu të forcojë bashkëpunimin ndërmjet institucioneve vendore, organizatave të shoqërisë civile dhe komunitetit rinor.

Bashkëpunimi do të shtrihet në një periudhë dyvjeçare dhe pritet të shërbejë si një platformë e rëndësishme për krijimin e mundësive të reja për të rinjtë, promovimin e modeleve pozitive të zhvillimit lokal dhe forcimin e rolit të tyre në komunitet. Kjo marrëveshje përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një mjedisi më të informuar, më gjithëpërfshirës dhe më mbështetës për të rinjtë e Bulqizës, duke i ndihmuar ata të marrin vendime të informuara për të ardhmen e tyre dhe të shohin mundësi zhvillimi brenda komunitetit ku jetojnë.

POEC është një organizatë jofitimprurëse që kontribuon në ndërtimin e një shoqërie që përqafon vlerat e solidaritetit, barazisë dhe respektit reciprok midis njerëzve dhe brezave.

Kontakt

Rruga Qemal Stafa, Tiranë 1001

Support

Me një grup punonjësish dhe vullnetarësh entuziastë, jemi gati të sjellim ndryshime pozitive, duke ofruar mbështetje konkrete për ata që kanë më shumë nevojë dhe duke promovuar një shoqëri më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse.