Nga emigracioni te vreshtaria: Historia e Fehmi Çupit në Fushë-Bulqizë

Për shumë vite, emigracioni ka qenë një nga rrugët kryesore që kanë zgjedhur banorët e Dibrës për të ndërtuar jetën dhe siguruar të ardhura për familjet e tyre. Por sot, gjithnjë e më shumë histori po tregojnë se rikthimi në vendlindje dhe investimi në potencialet lokale mund të jenë po aq të suksesshme sa vetë emigracioni.

Një prej këtyre historive vjen nga fshati Kokërdhak, në Njësinë Administrative Fushë-Bulqizë, ku z. Fehmi Çupi ka zgjedhur të rikthehet pas më shumë se 20 vitesh emigracioni dhe të investojë në tokën e tij.

Përvoja e fituar gjatë viteve të punës jashtë vendit, veçanërisht në sektorin e bujqësisë, u kthye në një ide konkrete për zhvillim në vendlindje. Sot, ai kultivon rreth 2 hektarë vreshta rrushi, duke ndërtuar gradualisht një aktivitet që jo vetëm siguron prodhim cilësor, por shërben edhe si një model frymëzimi për komunitetin.

“E kam nisur për pasion. Fillimisht nuk kam menduar të fitoj, por sot e shikoj që kjo punë duhet zhvilluar sepse prodhimi është i kënaqshëm”, shprehet Fehmiu.

Por ambicia e tij nuk ndalet vetëm te prodhimi. Në të ardhmen, ai synon ta kthejë këtë hapësirë në një mjedis praktik dhe eksperimental për studentët e Universitetit Bujqësor të Tiranës, duke krijuar mundësi që të rinjtë të mësojnë nga afër mbi kultivimin e vreshtave dhe praktikat moderne bujqësore.

Historia e tij u bë pjesë e një aktiviteti të veçantë të organizuar në kuadër të promovimit të modeleve të suksesshme të rikthimit. Një grup të rinjsh, fitues të Konkursit të Shkencës, vizituan vreshtën e Fehmi Çupit për të njohur nga afër eksperiencën e tij.

Këta nxënës kishin fituar Çmimin e Parë Special për Projektin më të Mirë për Qëndrueshmërinë Mjedisore, një vlerësim i akorduar nga Bashkimi Europian. Përmes kësaj vizite, ata patën mundësinë të shihnin konkretisht se si njohuritë, përvoja dhe pasioni mund të shndërrohen në investime të suksesshme në vendlindje.

Në një kohë kur shumë të rinj e shohin emigracionin si të vetmen alternativë, histori si ajo e Fehmi Çupit dëshmojnë se ekzistojnë edhe rrugë të tjera. Rikthimi nuk është thjesht një vendim personal; ai mund të kthehet në një kontribut për zhvillimin ekonomik dhe social të komunitetit.

Kjo histori është një shembull i qartë se si potencialet që ofron Dibra – toka, klima, tradita bujqësore dhe përvoja e fituar jashtë vendit – mund të kombinohen për të krijuar modele të reja zhvillimi.

Qendra POEC po zbaton projektin “RID HUB – Rikthim dhe Integrim në Dibër”, me mbështetjen financiare të Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) dhe Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri. Përmes iniciativave socio-kulturore, aktiviteteve komunitare dhe promovimit të historive të suksesit, projekti synon të tregojë se rikthimi dhe investimi në Dibër janë jo vetëm të mundura, por edhe një mundësi reale për të ndërtuar të ardhmen. Historia e Fehmi Çupit është një prej këtyre dëshmive. Një histori që nis me emigracionin, por që vazhdon me investimin, zhvillimin dhe besimin se edhe në vendlindje mund të ndërtohen modele të qëndrueshme suksesi.

POEC është një organizatë jofitimprurëse që kontribuon në ndërtimin e një shoqërie që përqafon vlerat e solidaritetit, barazisë dhe respektit reciprok midis njerëzve dhe brezave.

Kontakt

Rruga Qemal Stafa, Tiranë 1001

Support

Me një grup punonjësish dhe vullnetarësh entuziastë, jemi gati të sjellim ndryshime pozitive, duke ofruar mbështetje konkrete për ata që kanë më shumë nevojë dhe duke promovuar një shoqëri më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse.