POEC në Dibër: Letërsia dhe krijimtaria përballë sfidave digjitale

Qendra “Pathways to Opportunity and Equality Center” (POEC) ka zbatuar për nëntë muaj projektin “Afrimi i të rinjve me librin dhe promovimi i kulturës letrare”, mbështetur nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit. Ky projekt kishte në fokus rritjen e interesit të nxënësve për leximin, afrimin e tyre me autorët letrarë, si dhe krijimin e një klime më të gjallë kulturore në shkollat e qarkut Dibër. Gjatë kësaj periudhe u zhvilluan një sërë takimesh në shkolla të ndryshme, me pjesëmarrjen e shkrimtarëve, profesorëve të letërsisë dhe ekspertëve të fushës, të cilët nxitën debat dhe reflektim mbi rëndësinë e leximit. Në një kohë kur shoqëria përballet me sfidat që vijnë nga inteligjenca artificiale dhe zhvillimet e shpejta teknologjike, ruajtja dhe forcimi i aftësive krijuese mbetet një domosdoshmëri për gjeneratat e reja. Pikërisht këtë dimension e theksuan edhe ekspertët e letërsisë gjatë takimeve, duke e parë leximin si mjetin më të fuqishëm për të ushqyer mendimin kritik, imagjinatën dhe identitetin kulturor të të rinjve. “Lufta është me inteligjencën artificiale, por truri i njeriut mbetet shumë më i sofistikuar,” theksuan ekspertët gjatë bisedës me nxënësit, duke nënvizuar rëndësinë e leximit dhe mendimit kritik në epokën e teknologjisë. Prof. Armela Panajoti ndau reflektime mbi mundësitë që sjell teknologjia moderne, por edhe sfidat që ajo paraqet për krijimtarinë e brezit të ri.

Gjithashtu, si një simbolikë mbi rëndësinë e librit, prof. Shpëtim Cami ndau kopje të librave të tij, duke pasuruar bibliotekat lokale të shkollave dhe duke i lënë nxënësve një trashëgimi të prekshme për të vazhduar rrugën e leximit.

Shupenzë – Shkolla “Ibrahim Daci”
Turi nisi në Shupenzë, ku nxënësit e shkollës “Ibrahim Daci” treguan pasion të jashtëzakonshëm për librin, duke prezantuar dhjetëra vepra të lexuara gjatë vitit shkollor. Takimi u shoqërua me diskutime mbi fuqinë e letërsisë dhe ndikimin që ka leximi në zhvillimin e mendimit kritik. Mes titujve të përmendur nga nxënësit ishin “Meri Ylli”, “Shpella e Piratëve” dhe “Rreth Botës për 80 Ditë”, duke dëshmuar etjen për një bibliotekë më të pasur dhe më të larmishme në shkollë.

Klos – Shkolla “Tahir Hoxha”
Ndalesa e dytë ishte në Klos, ku u krijua një atmosferë e veçantë letrare. U evidentuan nxënës që kishin lexuar me dhjetra libra gjatë vitit shkollor, ndërsa mësuesit e letërsisë vlerësuan përkushtimin e tyre. Shkrimtarë dhe ekspertë të letërsisë zhvilluan diskutime mbi autorë kombëtarë, shkrimtarë shqiptarë të përkthyer në gjuhë të huaja, si dhe autorë botërorë me ndikim të madh.

Burrel – Shkolla “31 Korriku”
Në Burrel, takimi u përqendrua te mundësitë për të mbështetur nxënësit me prirje krijuese, duke nxitur krijimin e një Klubi të Librit në shkollë. Kjo nismë synon të bëhet një hap konkret për ndërtimin e një mjedisi më të gjallë kulturor, ku leximi të shoqërohet me aktivitete kolektive.

Dibër – Shkolla “Nazmi Rushiti”
Një moment i veçantë ishte takimi në shkollën “Nazmi Rushiti” në Dibër, ku Prof. Shpëtimi dhuroi librin e tij më të fundit për bibliotekën e shkollës. Ai u shpreh se Dibra ka qenë frymëzim për veprat e tij dhe ftoi nxënësit të kthejnë sytë nga vendlindja si burim identiteti dhe krijimtarie. Profesori i inkurajoi të rinjtë që, përmes leximit dhe shkrimit, të zhvillojnë mendimin kritik dhe të mos ndalen së krijuari.

Projekti i POEC jo vetëm që afroi nxënësit me librin, por edhe krijoi ura bashkëpunimi mes tyre, autorëve dhe mësuesve, duke e kthyer leximin në një përvojë frymëzuese. Në fund, u përzgjodhen punimet më të mira të nxënësve pjesëmarrës, si një tregues i potencialit krijues të të rinjve të Dibrës.

POEC është një organizatë jofitimprurëse që kontribuon në ndërtimin e një shoqërie që përqafon vlerat e solidaritetit, barazisë dhe respektit reciprok midis njerëzve dhe brezave.

Kontakt

Rruga Qemal Stafa, Tiranë 1001

Support

Me një grup punonjësish dhe vullnetarësh entuziastë, jemi gati të sjellim ndryshime pozitive, duke ofruar mbështetje konkrete për ata që kanë më shumë nevojë dhe duke promovuar një shoqëri më të drejtë dhe gjithëpërfshirëse.