Me vetëm pak ndërhyrje, dy çerdhet publike në Bulqizë mund të pajisen me panele diellore që sigurojnë ujë të ngrohtë gjatë gjithë vitit. Kjo është një nevojë bazë për fëmijët e vegjël, që kalojnë pjesën më të madhe të ditës në këto institucione.
Dimri në Bulqizë është i ashpër. Temperaturat bien ndjeshëm, era është e fortë dhe reshjet e dëborës janë të shpeshta. Në këto kushte, uji i ngrohtë nuk është luks. Çerdhet duhet të garantojnë kushte minimale që mbrojnë fëmijët dhe u krijojnë atyre një hapësirë të përshtatshme për rritje.
Qendra Pathways to Opportunity and Equality Center (POEC) ka ndërmarrë këtë iniciativë me qëllim që t’i japë një zgjidhje të qëndrueshme këtij problemi konkret. Projekti synon furnizimin me ujë të ngrohtë përmes paneleve diellore. Kjo teknologji lejon prodhimin e energjisë në mënyrë të vazhdueshme dhe me kosto të ulët, duke ulur varësinë nga sistemet tradicionale të ngrohjes, shpesh të shtrenjta dhe joefikase.
Përveç instalimit të paneleve, do të ndërhyhet edhe në rikonstruksionin e çative për të shmangur lagështirën, si dhe në përmirësimin e nyjeve sanitare dhe të sistemit elektrik.